“Përgatitjet ishin për dështim të seancës”, ish-gjyqtari Kryeziu tregon se çfarë ndodh tash pasi dështoi seanca për konstituimin e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet në seancën e paraparë, për shkak të mungesës së votave për miratimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandatave të deputetëve.
Subjektet politike: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës votuan kundër, duke thënë se Albin Kurti dhe kabineti i tij nuk mund të betohen për deputetë, pa dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Ndërsa, seanca u zhvillua, në media u publikua edhe dorëheqja e Kurtit dhe kabinetit të tij.
Megjithatë, kjo situatë nuk ka ndodhur asnjëherë në parlamentin e Kosovës.
Kadri Kryeziu ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës në një deklaratë për Telegrafin, ka folur për situatën e krijuar dhe çfarë ndodhë tutje në formimin e institucioneve.
Sipas Kryeziut të gjitha përgatitjet kanë qenë që seanca të dështojë.
“Konceptualisht, domethënë përgatitjet kanë qenë për me dështu. Domethënë të opozitës, po ashtu edhe partisë e cila, domethënë tash është në detyrë që ka më shumë vota. Sepse partia kryesore më e madhe që është me vota, ajo e ka përgjegjësinë më të madhe dhe është dashtë me komuniku për me kalu me konstitu parlamenti. Tash çka ndodhë, në bazë të Rregullores së Parlamentit, neni dymbëdhjetë, pika pesë, janë të obligueshëm që seancën mos ta ndalin, por përkohësisht do me thanë seanca vazhdon brenda dyzet e tetë orëve”, tha ai.
Kryeziu deklaroi se kjo situatë e cila ka ndodhë është situatë pa precedent dhe se nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
“Deputetët ende nuk janë deputetë legjitim. Deputet legjitim dhe legal, është ai deputet i cili betohet te Parlamenti. Domethënë, tash kjo kryesia teknike që quhet. Kështu se këto situata ende janë të karakterit procedural teknik. E pashë që kryesuesi i Parlamentit bëri kërkesë te Presidentja, mirë ka bërë që e ka bërë kërkesën, por kjo kërkesë nuk ka bazë as ligjore, as kushtetuese”, pohoi ai.
Mes tjerash, ai deklaroi se presidentja në bazë të Kushtetutës dhe kompetenca është është përfaqësuese e popullit dhe ka për detyrë me i ndihmu për krijimin e institucioneve të Kosovës.
“Për këtë arsye, kur e kemi hartu Kushtetutën, kemi lënë që Presidentja e ka pesë vjet mandatin, sepse në kësaj situatash edhe parlamenti nuk është legjitim. Po ashtu edhe Qeveria, përndryshe me legalitet dhe legjitimitet të plotë është vetëm Presidentja. Është faktor i unitetit të popullit dhe ka detyrë kushtetuese me ndihmua për konstituimin e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës”, potencoi Kryeziu.
Hartuesi i Kushtetutës, tha se kryeministri është dashtë të jep dorëheqje faktike efektive në momentin kur është bërë certifikimi i deputetëve, duke deklaruar se , dorëheqja nuk nënkupton se nuk mundet me qenë kryeministër në detyrë, ashtu siç e sheh ligji mbi Qeverinë.
“Qeveria në dorëheqje vazhdon ta ushtrojë përgjegjësitë e saj, t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi. Në aspektin ligjor, Qeveria kryeministri bashkë me ministrat kanë për detyrë me ndejt në zyrën e tyre derisa të përzgjidhet derisa të përzgjidhet qeveria e re. Përndryshe, mundet me qenë deputetë edhe ushtrues i detyrës, ose Kryeministër në detyrë derisa në fund derisa të vjen kryeministri i riri, sepse ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore”, sqaroi ai.
Kryeziu tha se kapitulli njëmbëdhjetë i Kushtetutës parasheh situata të jashtëzakonshme që mund të ndodhin dhe mund të aktivizohen për këto situata që nënkupton mund të ndodhë luftë, mund të ndodhë sëmundje të rënda, prandaj duhet të kryeministri të jetë në detyrë.
Po ashtu, Kryeziu deklaroi se për këto çështje, grupet parlamentare mund të kërkojnë sqarime edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila bën mbrojtjen e drejtave lirive të njeriut dhe ka për detyrë
kontrollin e pushteteve, e akteve të pushteteve shtetërore.
Ndryshe, kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Dehari tha se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.
“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.
Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk kaloi. 52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 abstenuan.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.
Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës.
“Raport i cili u shqyrtua në këtë komision dhe me shumicë votash kaloi, vlen të theksohet ashtu siç u pajtuam në Komision që për këtë raport kundër ishin PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Artan Abrashi i LVV-së.
Komente